Kreu Ekonomi Sa biznese përfituan nga ndihma e Qeverisë gjatë pandemisë?

Sa biznese përfituan nga ndihma e Qeverisë gjatë pandemisë?

nga Flamur Berisha

Mbyllja tremujore e ekonomisë së Kosovës në valën e parë të pandemisë kishte goditur shumë sektor në vend përfshirë këtu edhe bizneset.

Kjo ka bërë që Qeveria të marrë masa mbështetëse  me vlerë prej 60 milionë euro për sektorin privat të cilat janë shpërndarë në bazë të numrit të punëtorëve të regjistruar dhe jo në bazë të performancës së industrisë.

Instituti GAP, në një hulumtim të titulluar “ Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike, mungesa e një qasje sektoriale” ka thënë se janë mbi 7,000 punonjës vetëm nga supermarketet në Kosovë, për të cilët bizneset mund të përfitojnë nga subvencionimi i MF-së, ndonëse kjo kategori nuk është përballë me kufizimet të njëjta sikur kategoritë tjera biznesore sa i përket kohës së operimit.

Sipas tyre Qeveria e Kosovës në bazë të numrit të punëtorëve ka subvencionuar në gjithësej 36.679 biznese të cilat kanë arritur një shumë prej 60.000.000 eurove.

Nga i gjithë ky numër i bizneseve,  33.600 prej tyre janë subvencionuar rreth 45-50 për qind, ose kanë përfituar nga shuma prej 27,300,000.

Ndërkaq 2,701 biznese varësisht nga numri i punonjëseve kanë përfituar diku 26.67 për qind. Vetëm 217 prej tyre janë subvencionuar diku 7.28 përqind.

Me 6.95 për qind kanë qenë vetëm 102 biznese kosovare.  Ndërkaq 29 prej tyre kanë përfituar 3.43 për qind nga kjo pako. Ndërsa vetem 30 biznese në Kosovë të cilat kanë pasur mbi 300 punëtorë kanë përfituar me një përqindje më të ulët ku përfshinë vetëm 10.17 për qind.

Ndihmesa të tilla, ku nuk përcaktohen kritere të qarta që tregojnë se bizneset përfituese nuk janë në gjendje të mbulojnë obligimet ndaj punonjësve dhe shpenzimet operative, mund të inkuadrohen edhe në Ligjin për rimëkëmbje ekonomike sikurse në nenin 11 që parasheh 200 milionë euro për ndihmesë të bizneseve. Masa të tilla të barabarta thellojnë pabarazinë në mes industrive dhe vështirësojnë rimëkëmbjen e industrive më të prekura nga kufizimet qeveritare thonë nga GAP. /Buletini Ekonomik/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni