Kreu Biznes Sektorët me rënien më të madhe në pandemi

Sektorët me rënien më të madhe në pandemi

nga Flamur Berisha

Ekonomia e Kosovës gjatë këtij viti, në përballje me pandeminë, u karakterizua me një rënie mesatare të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) prej 4.6 përqind.

Aktiviteti ekonomik i vendit filloi të ngadalësohej që nga tremujori i parë i këtij viti, ku u shënua një rënie prej vetëm 1.3 përqind, por që do të vazhdonte deri në -9.3 përqind në tremujorin e dytë 2020, kur edhe kishte filluar pandemia Covid-19, që la pasoja të rënda në ekonominë vendase.

Sipas raportit të BQK-së, “Vlerësimi Tremujor i Zhvillimeve Makroekonomike Nr. 32, Tremujori III/2020”, në këtë nivel të rënies së aktivitetit ekonomik kanë kontribuar investimet dhe eksportet neto me -8.7 përkatësisht -0.2 pikë përqindje, përcjell Buletini Ekonomik.

Në anën tjetër, nga BQK thonë se aktiviteti ekonomik u mbështet nga kontributi pozitiv i konsumit me 4.2 pikë përqindje.

Në baza sektoriale, nё gjysmën e parё tё vitit 2020, rënien mё tё lartё e kishin shënuar sektori i hoteleve dhe restoranteve me -39.0 pёrqind, ai i ndërtimtarisë me një rënie prej -35.5 përqind, sektori i transportit dhe magazinimit me -33.1 pёrqind, aktivitetet administrative dhe mbështetëse me -22.8 pёrqind, tregtia me -5.0 pёrqind, etj.

Kurse rritja mё e lartё ishte shënuar tek sektori i industrisë përpunuese me 15.7 pёrqind, informimit dhe komunikimit me një rritje prej 15.7 pёrqind, furnizimi me energji elektrike dhe gaz me 12.8 pёrqind, shëndetësia dhe puna sociale me 11.1 pёrqind, industria nxjerrëse me 5.8 pёrqind, etj.

Por edhe përkundër hapjes sё ekonomisë në Kosovë, vlerësohet se trendi i rënies sё aktivitetit ekonomik ka vazhduar edhe nё tremujorin e tretë të këtij viti.

Këto vlerësime për rënien e vazhdueshme të ekonomisë mbështeten nё rënien eksportit tё shërbimeve në periudhën raportuese, rënien e shpenzimeve kapitale tё qeverisё, si dhe rënien e Investimeve të Huaja Direkte përgjatë kësaj kohe. Një indikacion tjetër i rënies së kërkesës së brendshme është edhe rënia e importit të mallrave prej 9.3 përqind në tremujorin e fundit (TM3 2020). Ndërkohë remitencat si gjithmonë kanë vazhduar të shënojnë rritje edhe gjatë kësaj periudhe.

“Këto vlerësime mbështeten nё rënien eksportit tё shërbimeve në periudhën raportuese, rënien e shpenzimeve kapitale tё qeverisё, rënien e IHD-ve, etj. Indikacion i rënies së kërkesës së brendshme është edhe rënia e importit të mallrave prej 9.3 përqind në TM3 2020”, thuhet në këtë raport. /Buletini Ekonomik/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni