Kreu Ekonomi Shoqata e Gastronomëve kërkon tu lejohet shërbimi “delivery” në zonat e kuqe pas orës 19:00

Shoqata e Gastronomëve kërkon tu lejohet shërbimi “delivery” në zonat e kuqe pas orës 19:00

nga Flamur Berisha

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kërkuar që tu lejohet shërbimi “delivery”, apo “merr me vete”, nëpër zonat e kuqe edhe pas orës 19:00, pasi sipas tyre kjo nuk paraqet rrezik të shpërndarjes së coronavirusit.

Përmes një njoftimi për medie, Shoqata e Gastronomëve ka thënë se kanë presion edhe nga ata që janë në vijën e parë të frontit në luftimin e pandemisë, pasi ata kanë nevojë të porosisin ushqim edhe pas orës 19:00.

“Shërbimet delivery jo vetëm që nuk paraqesin rrezik për shpërndarje të virusit, por edhe ndihmon njëkohësisht ata të cilët, prej orës 19:00 deri në orën 05:00, janë në vijën e parë të frontit në luftimin e kësaj pandemie, (nga të cilët kemi presion si shoqatë që të kërkohet që të lejohet një shërbim i tillë), mjekët me stafin e tyre, policinë e shtetit, dhe institucione të tjera përkatëse të cilët kanë nevojë të porosisin ushqim gjatë këtij orari. Krahas kësaj, ndihmohen edhe nënat tona, të cilat përveç punës së tyre, po kryejnë edhe punën e mësueses dhe kujdestares. Përfundimisht, ne bëjmë shpërndarje të konsumit esencial – ushqimit”, thuhet në njoftim.

Ata po ashtu kanë thënë se kjo mund të ndikojë në uljen e ndikimit negativ të pandemisë në ekonomi.

“Lejimi i shërbimeve të dërgesës me porosi (delivery) pas orës 19:00, edhe në komunat me rrezikshmëri të lartë, mundëson një qasje në shërbime të sigurta lidhur me mospërhapjen e infeksionit të COVID-19, dhe ndikon në uljen e ndikimit negativ të pandemisë në ekonomi”, thuhet në njoftim.

Postimi i plotë:

KËRKESË PËR LEJIMIN E VEPRIMTARISË “DELIVERY” PAS ORËS 19:00

Në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës me Nr. 01/42 të datës 11.11.2020, ndalohet veprimtaria e gastronomisë nga ora 19:00 deri në 05:00 në komunat me rrezikshmëri të lartë. Shprehimisht në këtë vendim nuk ndalohet shërbimi me porosi “Delivery”, mirëpo gjithsesi shprehimisht lejohet ushtrimi i këtij shërbimi në zonat komunale të tjera.

Sa i përket ndikimit të pandemisë në aspektin ekonomik, tashmë është evidente që sektori i gastronomisë është më i godituri në vend. Sipas të dhënave të Agjensionit Statistikor të Kosovës (ASK), të hyrat dhe qarkullimi i sektorit të gastronomisë në krahasim me vitin 2019 dhe 2020, vetëm në tremujorin e dytë (TM2), rezultojnë të kenë pasur rënie prej 64%, si asnjë sektor tjetër në Kosovë. 

Nga dy sondazhe të bizneseve dhe punëtorëve të raportit hulumtues të ndikimit të pandemisë në gastronomi të përgaditur nga SHGK dhe Korb Marketing&Research, kemi të raportuar që 36% e bizneseve të gastronomisë, janë detyruar që të largojnë nga puna punëtorët e tyre si pasojë e zvogëlimit të vëllimit të ushtrimit të veprimtarisë dhe problemeve të likuiditetit. Nëse kjo atmosferë e shkaktuar ekonomike vazhdon edhe më tutje, bizneset nuk mund ta mbijetojnë këtë situatë dhe 56% e tyre kanë raportuar që do të largojnë edhe më shumë staf nga puna.

Nga praktikat e vendeve të huaja në rajon dhe perëndim, përkatësisht në BE dhe SHBA (ku nuk është ndalur asnjëherë kjo veprimtari pavarësisht rasteve) e poashtu nga politikat mbështetëse të organizatave të specializuara ndërkombëtare, kemi shumë argumente të cilat rekomandojnë shërbimet me porosi “Delivery”. Këto shërbime tashmë po bëjnë bujë të madhe nëpër botë si pjesë e veprimtarisë së tregtisë elektronike apo “E-Commerce”, duke pasur rritje të jashtëzakonshme ekonomike në këtë lloj.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi, lidhur me mbështetjen e politikave dhe portave të qeverisjes, kemi mjete të politikave dhe burime të ndryshme të cilat asistojnë shtetet duke u përgjigjur në luftimin e pandemisë COVID-19, ku kërkohet nxitja e tregtisë elektronike në kuadër të biznesit ushqimor. 

Ju gjithashtu mund të pëlqeni