Kreu Ekonomi Si ta shkruajmë një letër motivimi për të aplikuar në një vend pune?

Si ta shkruajmë një letër motivimi për të aplikuar në një vend pune?

nga Flamur Berisha

Çka është një letër motivimi?

Letra e motivimit është një letër e cila shkruhet për të shprehur interesimin për një pozitë të caktuar pune apo edhe kur duam të bëhemi pjesë e trajnimeve ose programeve të ndryshme. Kur një letër motivimi shkruhet për të aplikuar për një vend pune, kandidati nëpërmjet saj duhet të përshkruajë se pse është i interesuar për atë pozitë pune dhe pse ai mund të jetë kandidati më i përshtatshëm për rolin që ofrohet. Një letër motivimi zakonisht i bashkangjitet aplikacionit për punë, bashkë me CV-në apo rezymenë.

Pse ka rëndësi letra e motivimit?

CV-ja është një dokument i shkurtër nëpërmjet të cilit punëdhënesit informohen rreth kandidatëve dhe sigurojnë edhe të dhënat e tyre personale dhe profesionale. Mirëpo, në CV jemi të kufizuar të shprehemi shumë në lidhje me kualifikimet tona. Çdo kompani, institucion, organizatë, ka nevojë të dijë se pse një kandidat është i interesuar për një rol të caktuar, nga buron motivimi i tij, çka mund të ofrojë ai për kompaninë dhe çka e bën atë kandidatin më të mirë për rolin të cilin po e synon. Letra e motivimit shumë shpesh konsiderohet edhe vendimtare për ftesën për intervistë.

Si ta shkruajmë një letër motivimi?

Fillimisht, para se të nisim shkrimin e letrës së motivimit është thelbësore të njihet struktura e saj – pra çka duhet të përmbajë ajo letër. Një letër motivimi duhet të ndahet në tre paragrafë kryesor:

  • Hyrja
  • Pjesa kryesore
  • Përfundimi

Duhet nënvizuar se letra duhet të ketë edhe një pjesë para hyrëse. Pra, në krye të letrës sigurohuni t’i shkruani të gjitha informatat personale, për çka po aplikoni – cila është pozita për të cilën jeni duke aplikuar. Shkruani të dhënat tuaja si: emrin dhe mbiemrin, emrin e kompanisë/institucionit ku po aplikoni, detajet e kontaktit duke përfshirë edhe rrjetet sociale dhe e-mailin tuaj.

Hyrja. Paragrafin hyrës niseni duke iu drejtuar kompanisë, grupit, personit etj, me një përshendetje. Vazhdoni duke treguar se pse jeni të interesuar t’i bashkoheni atij ekipi, nga buron motivimi juaj.

Një shembull i hyrjes:

I/e nderuar (emri i personit) ose Përshendetje KosovaJob, 

Jam shumë i/e lumtur që kam mundësinë të aplikoj për rolin e (shkruani pozitën e punës)…. Ose: Dua të shpreh interesimin tim për të aplikuar për pozitën/ programin…në X kompaninë (shkruani edhe vendin ku po aplikoni). 

Pjesa kryesore apo mesi i letrës. Kjo pjesë konsiderohet thelbësore sepse me atë se çka do të shkruani këtu ju mund të fitoni vëmendjen e punëdhënësit. Në këtë pjesë, mundohuni të përdorni sa më shumë fakte, flisni për arritjet tuaja, tregoni se çka mund t’iu dallojë juve nga të tjerët kandidatë etj.

Përdorni fjali si : Unë e kam vërejtur interesimin tim për fushën e dizajnit qysh kur nisa praktikën e parë në X kompaninë. Puna në një biznes të vogël ishte shumë frytdhënëse për mua dhe më bëri të kuptoj se…

Unë tashmë dua të bashkohem në një mjedis dinamik dhe të fitoj sa më shumë njohuri e detaje rreth programimit. Dua të jap dhe të marrë gjëra cilësore nga një mjedis profesional siç është kompania juaj.

Përfundimi. Në këtë pjesë mundohuni të përmbledhni atë çka u tha në letër, duke përdorur shprehje si: Unë besoj se jam një kandidat i përshtatshëm për kompaninë tuaj sepse (përmendni se çka ju lidhë me kompaninë dhe çka synoni të ofroni në kompani). Në fund, falenderojeni lexuesin për kohën dhe përmbylleni letrën me fjali të tilla si: Shpresoj të më ofrohet mundësia e intervistimit / jam shumë entuziast të paraqitem në intervistë dhe të mësoj më shumë detaje rreth ketij roli, etj.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni