Kreu Ekonomi Sot pritet të vendosen masa të reja kufizuese për shkak të rritjes së rasteve me coronavirus.

Sot pritet të vendosen masa të reja kufizuese për shkak të rritjes së rasteve me coronavirus.

nga Flamur Berisha

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, ka thënë se në takim me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, është propozuar që komunat të ndahen në tri grupe varësisht numrit të personave të infektuar. “Po kanë me u vendos masa të reja nga sot, i kemi ndarë në tri grupe, është e gjelbra, e verdha dhe e kuqja varësisht numrit të të infektuarve”, tha ai.

Ndërkohë, Telegrafi mëson se në grupin e gjelbër do të hyjnë komunat që brenda jave kanë deri në 75 raste, në grupin e verdhë do të hyjnë komunat që kanë nga 76 deri 149 kurse në grupin e kuq do të hyjnë komunat që brenda jave kanë më shumë se 150 raste.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj pas takimit virtual me kryetarët e komunave, theksoi se do të vazhdojnë me vendime operacionale, për komuna të caktuara në bazë të kategorizimit si pasojë e numrit të të infektuarve.

“Lakorja e rasteve të fundit na detyrojnë për kujdes të shtuar dhe aktiv. Kërkohet bashkëpunim i ngushtë me komunat e Kosovës me theks me kryetarët dhe Shtabet Komunale Emergjente dhe po ashtu bashkëpunim i të gjithë mekanizmave të institucioneve qendrore dhe lokale për zbatim rigoroz të masave të dala nga niveli qendror, është i domosdoshëm”, ka pohuar ai.

Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 730 raste të reja me COVID-19, kurse numri i viktimave ka arritur në 755.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni