Kreu Ekonomi Takohet Komisioni për Transfere: Keto jane vendimet e fundit rreth Projektbuxhetit për vitin 2021

Takohet Komisioni për Transfere: Keto jane vendimet e fundit rreth Projektbuxhetit për vitin 2021

nga Flamur Berisha

Sërish në Komisionin për Buxhet dhe Transfere nuk është miratuar në parim të Projektbuxheti për vitin 2021.

Ditë më parë, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi gjatë prezantimit të Projektbuxhetit për vitin 2021 në këtë Komision, kishte theksuar se të hyrat buxhetore për vitin e ardhshëm pritet të jenë mbi 1 miliardë e 800 milionë euro ose 5 për qind më shumë se në vitin paraprak.

Derisa sipas Krasniqit shpenzimet buxhetore për vitin 2021 do të jenë 2 miliardë e 412 milionë euro.

Për këtë Projektbuxhet, kishte pasur kritika nga deputetët e opozitës për ndarjet buxhetore, që sipas tyre është shkurtuar buxheti për shëndetësi dhe është rrit buxheti për infrastrukturë.

Kësisoj ata u shprehën se nuk do ta mbështesin këtë buxhet.

Po ashtu, në këtë Komision është shqyrtuar raporti vjetor financiar për Radiotelevizionin e Kosovës për vitin 2019 ku pati kritika nga opozita për menaxhimin e RTK. Ndonëse nuk pati edhe kuorum për votim.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Sali Bashota gjatë raportimit tha se është arrit të shpenzohet dhe menaxhohet buxheti me kujdes në bazë të kodeve ekonomike dhe me kontrata të caktuara.

“Ne jemi përpjekur që të menaxhojmë me kujdes veprimtarinë e RTK-së në të gjitha pikat, edhe sa i përket pjesës financiare. Duke ditur edhe një fakt që RTK punon në kushtet jo të mira infrastrukturore që ndikon edhe në përformancën më të mirë të punës… Me këtë raport të prezantuar sot, RTK-ja ka evidentuar dhe paraqitur të gjitha transaksionet që lidhen me të hyrat e shpenzimet për vitin 2019”, theksoi Bashota.

Deputeti Fatmir Rexhepi nga LDK-ja tha se raporti është i mirë sa i përket raportit financiar të RTK-së. Derisa Rexhepi foli edhe për kushtet e rënda infrastrukturore në RTK, që sipas të cilit janë të vështira për punë.

“Ajo që u tha këtu, është komplementare sa i përket buxhetit vjetor, me menaxhimin e financave, me transparencën, për shpenzimet, kategoritë dhe gjithë sektorët sipas veprimtarisë që i ka pasur RTK-ja. Prandaj, s’kam çka me ushtuar më shumë, qoftë edhe në realizmin komplet të skemës programore, pra në bazë të planifikuar. Vulën kryesore e ka dhënë vet auditori. Ajo që u tha mbetet për një bashkëpunim nëse ka mundësi, por ky është një problem që është theksuar edhe më herët sa I përket kushteve të punës, infrastrukturës dhe të tjera. kjo nuk është e lehtë, donë një zgjidhje më afatgjate”, theksoi Rexhepi.

Kundër kësaj deklarate nga kolegu i tij ka reaguar kryetari i Komisionit, Hekuran Murati, i cili ka përmendur disa nga shpenzimet dhe kontratat për programe dhe emisione televizive, që sipas tij janë të pa arsyeshme dhe paradoksale.

Deputeti Murati nga VV-ja përmendi shpenzimet veç e veç për disa kontrata. Ai tha se për filma nga “Top Shop” janë shpenzuar 115 mijë euro, për programin “Gjyshet milionere” me 75 mijë euro, seriali “Pleqtë” me 134 mijë euro, emisioni “Udhëtim me shije” me 60 mijë euro, emisioni “Jeta dhe Drejtësia në Kosovë” me 54 mijë euro. Po ashtu, për emisionin “Rrënjët tona” me 54 mijë euro, shpenzimet e udhëtimit zyrtarë mbi 100 mijë euro, për internet 112 mijë euro ose 9 mijë euro në muaj, për kompjuterë 220 mijë euro.

“Të gjitha këto tregojnë për një menaxhim skandaloz financiar të kësaj organizate. Me këtë nuk di sesi mund të quhet perfekt apo I mirë apo me ato epitetet që u quajt deri tash. Është paradoks nëse thoni që është dashur të rriten shpenzimet tek personeli, RTK-ja vazhdon me blerë emisione nga jashtë. Ato dhjetëra mijëra euro që i përmenda… Nëse i keni mbi 800 punëtorë të angazhuar dhe vazhdoni me blerë qindra mijëra e miliona euro për program nga jashtë, kjo është paradoks”, tha Murati, raporton KP.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati tha disa kontrata që kanë qenë në vitin 2019 janë ndërprerë dhe ka përpjekje maksimale për menaxhimin e buxhetit në mënyrën më të kujdesshme.

“Të gjitha këto që I përmende kanë qenë të planifikuara, por për çfarë arsye ndahen në të gjitha këto kategori nuk po di me dhënë përgjigje, por jemi munduar që në mënyrën më të mirë të mundshme prej ditës që e kam marrë mandatin me menaxhuar me paranë publike. Ato janë evidente, sigurisht që ka pasur kontrata që janë nënshkruar, por të cilat kanë qenë të planifikuara. Gjithmonë ka hapësirë për kritika, por kam premtuar se kemi me stabilizuar gjendjen financiare”, tha Kastrati.

Në Komisionin për Buxhet dhe Financa është miratuar kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2021. Drejtori ekzekutiv i Trustit, Adrian Zalli tha se taksa menaxhuese për vitin e ardhshëm do të jetë 0.32 për qind, që pritet të ketë ndikim mbi 60 milionë euro ose 250 mijë euro më pakë apo me lirë se për vitin 2020.

Këto taksa kanë qenë të pranueshme për anëtarët e Komisionit të cilën kërkesë e votuan me vota unanime.

Drejtori Zalli tha se 2 miliardë e 70 milionë euro është fondi nën menaxhim deri tash.

Ndërsa, kryesuesi i Bordit të Trustit Ruzhdi Morina duke folur për investimet në aset menaxherët, tha se janë të përgatitur për dhënien e shërbimeve për 650 mijë kontributdhënës në Trust tash pas hyrjes në fuqi të Ligjit për rimëkëmbje Ekonomike që mundëson tërheqjen e 10 për qind të kursimeve.

Komisioni për Buxhet dhe Transfere në fund ka miratuar edhe raportin vjetor financiar të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2019. /Telegrafi/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni