Kreu Ekonomi Të gjitha vendimet që i mori sot qeveria e Kosovës (21.05.2021)

Të gjitha vendimet që i mori sot qeveria e Kosovës (21.05.2021)

nga Flamur Berisha

E drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 12-të të rregullt, në të cilën ka miratuar vendime nga përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore. Është miratuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit.

Me ndryshimin dhe plotësimin e këtij vendimi, me propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës emërohet Sevdije Morina në vend të Arjana Shajovcit, dhe, me propozimin e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, emërohet Blerta Deliu-Kodra në vend të ish-deputetes Donika Kada-Bujupi.

Me propozimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qeveria ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe palëve të treta dhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe qëndrimit të shtetasve të Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe nisma për negocimin e Marrëveshjes ndërkombëtare të partneritetit për “Menaxhimin e grant kontratës të asistencës teknike në kuadër të Programit për Bashkëpunim Ndërkufitar ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut nën IPA II (2014 – 2020)”.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Nismën për negocimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin ” Mbështetja ndaj Reformës së Arsimit dhe Trajnimit Profesional në Kosovë – Faza 2″.

Me vendimin e miratuar sot në mbledhje Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës që të japë autorizimin për Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Amandamentimit 1, të Marrëveshjes Kornizë të Kredisë, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.

Amandamentimi 1 i siguron Kosovës një shtesë prej 25 milionë euro të kredisë së nënshkruar më herët, dhe shuma totale e kredisë tash është 60 milionë euro.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni