Kreu Ekonomi Thyhet rekordi, kaq para ka derguar Mërgata jonë ne vitin 2020

Thyhet rekordi, kaq para ka derguar Mërgata jonë ne vitin 2020

nga Flamur Berisha

Mërgata e Kosovës pavarësisht pandemisë COVID-19, ka vazhduar të dërgoj para në drejtim të vendit tonë. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës për muajin nëntor 2020, tregojnë se diaspora ka dërguar rreth 14 milionë euro më shumë sesa muaji i njëjtë i vitit të kaluar, shkruan Telegrafi. Për këtë muaj, në vendin tonë u sollën 87.2 milionë euro, kurse një vit më herët kjo vlerë ishte 72.4 milionë euro.

Duke krahasuar periudhën dhjetë mujore të vitit aktual me atë paraprak, del se mërgata në drejtim të Kosovës ka dërguar 104.2 milionë euro më shumë, apo në total 883.3 milionë euro. Për sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës.

Në tremujorin e tretë të vitit 2020, del se nga Gjermania kanë ardhur 40.8 për qind e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 24.4 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 6.2 për qind.

Remitencat sipas kanaleve të dërgimit, nëntor 2020 | Burimi: BQK

Për këtë periudhë, rritja e remitencave është për 18.1 për qind më e madhe se në vitin paraprak.

“Vetёm nё tremujorin e tretë të 2020-së, vlera e remitencave tё pranuara ishte 262.2 milionё euro, apo 18.1 pёr qind mё shumё krahasuar me tremujorin e tretë të 2019-së”, thuhet në raportin “Vlerësimi tremujor i zhvillimeve makroekonomike, tremujori i tretë 2020”, përcjell Telegrafi.

BQK thotë se, rritja e dërgesave ka qenë dyshifrore gjatë gjithë periudhës së pandemisë, me përjashtim të muajit mars 2020 dhe prill 2020 kur shënuan rënie.

“Përkundër faktit se edhe vendet ku janë të koncentruar diaspora kosovare janë goditur shumë nga kriza e pandemisë, remitencat kanë shënuar përshpejtim të rritjes. Rritja e remitencave ka qenë dyshifrore gjatë gjithë periudhës, me përjashtim të muajit mars 2020 dhe prill 2020 kur shënuan rënie”, thotë BQK.

Sipas kanaleve të dërgimit, BQK thotë se, 615.2 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni