Kreu Ekonomi Top 3 ngjarjet me kryesore te javes se kaluar ne vendin tone. (shiko ketu)

Top 3 ngjarjet me kryesore te javes se kaluar ne vendin tone. (shiko ketu)

nga Kontabilisti

Zotimi i Qeverisë së Kosovës se do të ndajë 90 milionë euro për subvencionimin e çmimit të energjisë elektrike, shpenzimet e deputetëve për karburant emërimi i Bordeve të Drejtorëve të ndërmarrjes Trepça dhe Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe marrja nën administrim e AgroKosova nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, ishin disa nga ngjarjet kryesore të javës në ekonomi.

Qeveria në mbledhjen e saj të fundit ka marr vendim për zotimin e 90 milionë eurove për të subvencionuar faturat energjisë elektrike, shkruan Telegrafi.

Sipas zotimit, përmes këtij vendimi po synohet të ulet ndikimi i tarifave të energjisë për konsumatorët.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar për subvencionim të energjisë në shumën prej 90 milionë euro. Ky vendim është marrë pas rritjes enorme të çmimeve të importit, që ka shkaktuar krizën e furnizimit me energji elektrike në vend”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Propozimi i Qeverisë për bllok tarifat e rrymës

Qeveria e Kosovës ka prezantuar komentet që ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) lidhur me tarifat e energjisë elektrike, duke propozuar që bllok tarifa të jetë 1000kWh e jo 600kWh.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë një konferencë për media tha se për amvisëritë blloku i tarifor të jetë 1000kWh dhe i ndarë 500 gjatë ditës dhe 500 gjatë natës.

“Ne kemi propozuar që për amvisëritë, blloku i parë tarifor të jetë 1,000kWh dhe i ndarë 500kWh gjatë ditës dhe 500kWh gjatë natës. Konsiderojmë që për një afat kaq të shkurtër është e vështirë për familjet të përshtaten menjëherë. Për ato familje që nuk e tejkalojnë këtë prag, nuk do të ketë fare ekspozim ndaj lëvizjeve dhe rritjeve në çmim. Ndërkaq për ata që e tejkalojnë këtë prag, propozimi ynë ka qenë që edhe tarifa e lartë, mbi 500 ditore, të ulet nga 14 cent në 11.5 cent. Edhe këtu të ketë një zbritje dhe me këtë propozim, kemi vlerësuar që gjenerohen 22.5 milionë euro për ta zvogëluar këtë hendekun që e thashë prej 110 dhe 70 milionë euro”, është shprehur Murati, përcjell Telegrafi.

Të hënën në orën 16:00, ka përfunduar afati për dorëzim të komenteve lidhur me propozimin e ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës.

Ditë më parë, ZRRE-ja në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë, e cila thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 600 kWh energji elektrike në muaj.

AgroKosova – marrja nën administrim nga AKP-ja

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) nën përcjelljen e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyrat e AgroKosova Holding, ku kanë marr nën administrim këtë ndërmarrje.

Sipas AKP-së, ky veprim është bërë pas tërheqjes së aksioneve nga kjo ndërmarrje.

“Pas përfundimit të procedurave të nevojshme me rastin e tërheqjes së aksioneve sot ka ekzekutuar vendosjen e ndërmarrjes së re AgroKosova Holding (ish-NBI Suhareka), e cila tani e tutje do të jetë nën administrimin të drejtpërdrejt të AKP-së”, thuhet në njoftimin e AKP-së, përcjell Telegrafi.

Nga AgroKosova kanë kundërshtuar ta lirojnë objektin ku dhe ka pasur përplasje me fjalë mes tyre dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Ditë më parë, Bordi i Drejtorëve të AKP-së kishte marr vendim për vendosjen në administrim këtë ndërmarrje.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se kjo ndërhyrje në ndërmarrje private, tregon shumë për klimën e investimeve të huaja në vend.

“Ndërmarrja në fjalë dhe investitorët duhet ta kenë mundësinë e mbrojtjes të investimit dhe pronës ku kanë investuar. Ndërhyrjet arbitrare me polici, pa u shtjerr të gjitha mekanizmat kushtetues dhe ligjor, janë të papranueshme dhe mund të shërbejnë si precedent jashtëzakonisht negativ, për të ardhmen. Këto veprime duhet të ndalen”, thuhet në reagimin e Rukiqit.

Shpenzimet e deputetëve për karburant

Gjatë ditës së enjte është publikuar lista e dhjetëra deputetëve që janë kompensuar për shpenzimet e derivateve, për arsye të udhëtimeve nga qytetet e tjera për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.

Sipas raportit, për periudhën nëntor-dhjetor të vitit 2021, një deputet ka shpenzuar deri në 870 euro për karburante.

Nga shpenzimet e publikuara shihet se më së shumti kanë marrë deputetët që vijnë nga Gjakova e Prizreni, deri në 870 euro për dy muaj.

Në vazhdimësi deputetët janë kritikuar për beneficione shtesë e shpenzime të tjera nga ana e monitoruesve, shoqërisë civile dhe medieve.

Por sipas Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, ata marrin pagën bazë, pagën kalimtare pas përfundimit të mandatit, kompensimi për pjesëmarrje në seanca dhe në takime të komisioneve, kompensim për funksionet parlamentare, kompensimi i shpenzimeve mujore, pensionet suplementare dhe të drejta tjera të përcaktuara më këtë Ligj.

Me gjithë përfitimet financiare që ata gëzojnë, shpesh-herë në media janë publikuar shifra të larta të shpenzimeve që bëjnë deputetët e Kosovës, duke përmendur këtu shpenzime të larta të karburantit, e po ashtu edhe shpenzime tjera.

Emërimi i Bordeve të Drejtorëve të Trepcës dhe KEK-ut

Gjatë të mërkurës, Qeveria ka marrë vendim që të emëroj bordet e drejtorëve të ndërmarrjes Trepça dhe Korporata Energjetike e Kosovës.

Kryesues i Bordit të Trepçës është emëruar Bahri Hyseni, Ibrahim Krasniqi – anëtar, Muharrem Peci – anëtar, Bujar Bilalli – anëtar dhe Xhevdet Tahiri – anëtar.

Ndërsa, për Bord të KEK-ut, është emëruar Skënder Haziri – kryesues. Merita Kasapolli – anëtare, Berzat Halili – anëtar, Valbona Raifi Deshishku – anëtare, Mustafa Pllana – anëtar dhe Valdrin Krasniqi – anëtar.

Për sa i përket lajmeve ndërkombëtare, gjatë kësaj jave, Meta, kompania e njohur më parë si Facebook, humbi afërsisht 230 miliardë dollarë vlerë tregu në fillimin e tregtimit, pasi zhgënjeu investitorët me fitimet e tremujorit të katërt që treguan se përdoruesit e përditshëm po bien për herë të parë.

Rënia uli kapitalin e tregut të kompanisë – vlerën e të gjitha aksioneve të saj së bashku – nga 898.5 miliardë dollarë në 668.4 miliardë dollarë. /Telegrafi/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni