Kreu Ekonomi Zyrtare: Miratohen masat e reja anti-COVID (Dokument)

Zyrtare: Miratohen masat e reja anti-COVID (Dokument)

nga Flamur Berisha

Në mbledhjen e sotme Qeveria ka miratuar masat e reja anti-COVID që do futen në fuqi nga 19 prilli.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar që institucionet publike dhe private të arsimit do vazhdojnë procesin e rregullt, derisa puna e gastronomisë do vazhdojë punën deri në orën 22:00, ndërkaq shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:30, pas pajisjes me leje të veçantë.

Pos masave, Qeveria gjithashtu ka bërë miratimin e Shqyrtim Propozim-vendimit për autorizimin e ministrit të Shëndetësisë për plotësim-ndryshimin e udhëzimit të autorizimit për marketing, lidhur me produktet medicinale, duke evituar procedurat e përcaktuara nga rregullorja.

Për këtë plotësim-ndryshim, Vitia ka deklaruar se ndryshimi i këtij akti nënligjor përfshinë përcaktimin e kushteve dhe kritereve specifike për të siguruara vaksinat kundër COVID-19.

“Gjatë hartimit të ndryshimit dhe plotësimit të udhëzimit administrativ , Ministria duhet të ketë parasysh standardet për hartimin e akteve normative të parapara me udhëzimin administrativ”, ka thënë ai.

Këto janë masat anti-COVID që pritet të merren sot

Qeveria e Kosovës sot do të vendosë për masa të reja anti-COVID.

Sipas dokumentit që posedon KOHA kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë nga ora 22:30 deri në 05:00.

Ky orar vlen përveç: Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi). Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë, dhe operatorët që kryejnë punë dhe shërbime publike. Operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.

Në draft-dokumentin e masave të cilat pritet të merren sot, gastronomia do të lejohet të punojë deri në orën 22:00 ndërkaq shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:30, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).

Institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit vazhdojnë mësimin sipas udhëzuesit përkatës për sektorin e arsimit.

Konviktet lejohet të punojnë sipas rregullit një student në një dhomë.

Të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskurzionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.

Si pikë të rendit të ditës në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës e ka edhe: Shqyrtimi i Propozim-vendimit për Autorizimin e Ministrit të Shëndetësisë për plotësim – ndryshimin e Udhëzimit Administrativ (Shëndetësi) Nr.01/2015 Autorizimi për Marketing për Produkte Medicinale duke evituar procedurat që përcaktohen me Rregulloren nr. 09/2011 të Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Rregulloren nr.13/2013 për Shërbimin Ligjor Qeveritar (MSH).

Ju gjithashtu mund të pëlqeni